Qyteti i Shkupit filloi me projektin për rrjetin e ujësjellësit në komunën Çuçer Sandevë 23.1.2024

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, me ekipe nga ndërmarrjet publike të Qytetit dhe kryetarin e Komunës Çuçer Sandevë, inspektuan fillimin e projektit për rrjetin e ujësjellësit me gjatësi 1 kilometër, në rrugën “Guri i Bardhë” në Çuçer Sandevë, projekt i cili po realizohet me bashkëpunim ndërkomunal.

Me realizimin e këtij projekti zgjidhet problemi i nxehtë i banorëve të komunës Çuçer Sandevë, nevojat e të cilëve u harruan për më shumë se 30 vjet dhe kërkesat e tyre u shpërfillën. Për shkak të rrjetit të vjetër dhe të amortizuar të ujësjellësit në këtë pjesë, banorët ballafaqohen me defekte të shpeshta, ndërsa me vendosjen e këtij rrjeti të ri po rilidhen objektet ekzistuese, përkatësisht 110 lidhje, gjë me të cilën sigurohet cilësi më e mirë jetese për bashkëqytetarët tanë.

Aktivitetet ndërtimore në terren do të përfshijnë rindërtimin e 10 degëve të rrugës “Guri i Bardhë” të cilat i përkasin territorit të komunës Çuçer Sandevë, dhe ky investim do të sigurojë shkëputjen nga rrjeti aktual i ujësjellësit, i cili është joadekuat dhe me profil të pamjaftueshëm. Ky projekt zbatohet në 10 rrugë në Çuçer Sandevë, të cilat si degë gravitojnë drejt rrugës kryesore “Guri i Bardhë”, ku lidhen me rrjetin e ujësjellësit me profil Ø200 mm.

Njëkohësisht, ju njoftojmë se ka përfunduar dokumentacioni i projektit dhe procedurave për realizimin e kanalizimit në vendbanimin “Kuçevishka Bara”, gjë me të cilën në javët në vijim do të fillojë realizimi i këtij projekti të shumëpritur me dekada. Qyteti i Shkupit në vazhdimësi po punon për përmirësimin e furnizimit me ujë sipas projekteve të premtuara nga programi "Për Shkupin Modern", ku zgjidhja e këtyre sfidave është një nga prioritetet.