Qyteti i Shkupit i bënë thirrje ministres së kulturës që të garantojë personalisht për sigurinë e Sallës Universale 23.2.2022

Qyteti i Shkupit publikisht fton ministren e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska të marrë pjesë në takimin e hapur të punës ku do t’i prezantohen faktet për gabimet në projekt dhe dokumentacionin teknik për rrjedhën e punimeve për rikonstruksionin e Sallës Universale. Ministrja si përfaqësuese e këtij projekti të kontestuar për rikonstruksionin e Sallës Universale ndoshta nuk është e informuar dhe nuk ka njohuri për situatën. Nëse edhe pas takimit mendon se projekti i vjetër mund të vazhdojë, duhet të nënshkruajë deklaratë me të cilën personalisht do të garantojë korrektësinë e projektit ekzistues për rikonstruksionin e Sallës Universale dhe për sigurinë e shkupjanëve.

Në bazë të kontrollit të të gjitha procesverbaleve dhe dokumentacionit teknik, të përpiluara në kohën e qeverisjes së LSDM-së me Qytetin e Shkupit, janë konstatuar gabime dhe mangësi serioze në projektin për rikonstruksionin e Sallës Universale me implikime për sigurinë e objektit, por mbi të gjitha, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve. Ato janë procesverbale nga persona që kanë drejtuar me Qytetin në kohën e qeverisjes së LSDM-së dhe Shilegovit.

Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme politikisht që qeveria të përhapë dezinformata, duke e ditur se kuadrot e saj merrnin vendime dhe nisnin projekte gjysmake me mangësi serioze që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve. Këtë e dëshmojnë të gjitha raportet zyrtare që janë miratuar pikërisht gjatë mandatit të udhëheqjes së mëparshme të Qytetit të Shkupit, ndërkohë që në rrethana të dyshimta dhe të pasigurta janë kryer aktivitete ndërtimore për rikonstruksionin e Sallës Universale.

I bëjmë thirrje pushtetit qendror dhe LSDM-së që t'u japin fund përleshjeve politike dhe sulmeve të përditshme ndaj Qytetit të Shkupit dhe administratës së Qytetit me qëllim të vetëm për të mbledhur pikë politike, dhe në dëm të qytetarëve. Qytetarët kërkojnë punë, përkushtim dhe një qytet që do të jetë në shërbim të zgjidhjes së problemeve të tyre dhe pikërisht për këtë do të punojë me përkushtim kjo administratë në këtë mandat katërvjeçar. Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha.

Kthimi në funksion i Sallës Universale si shenjë dalluese për Shkupin e shkupjanët ishte një nga premtimet dhe është pjesë e aktiviteteve programore të udhëheqjes së re të Qytetit dhe do të realizohet, por me mbrojtje maksimale të interesit dhe sigurisë së qytetarëve.