BANORËT E SHUTO ORIZARES TË CILËT KANË APLIKUAR PËR INVERTER NGA SOT DERI TË DIELËN DO T'I DORËZOJNË STUFAT E VJETRA 23.10.2020

Banorët e komunës Shuto Orizare të cilët aplikuan për subvencione për blerjen e kondicionerëve-inverter në Qytetin e Shkupit këtë fundjavë (të shtunën dhe të dielën) do të kenë mundësinë t'i dorëzojnë stufat e tyre të vjetra me dru ose naftë në oborrin e shkollës së mesme "Shaip Jusuf". Aksioni do të zgjasë nga ora 10 deri në ora 16, në dy ditët.

Deri në ndërprerjen e përkohshme të thirrjes për dhënien e subvencioneve për blerjen e kondicionerëve inverter, në Qytetin e Shkupit kanë arritur 4.282 aplikacione. Vetëm nga komuna e Shuto Orizares kanë arritur rreth 120 aplikacione në këtë thirrje publike.

Qyteti i Shkupit i lut qytetarët për durim gjatë procesit të kontrollit të aplikacioneve të pranuara. Në periudhën e ardhshme, do të organizohet dorëzimi i stufave të vjetra me dru në komunat e tjera të Shkupit, për të cilat qytetarët do të informohen në kohë.

Fundjavën e kaluar, një aksion i këtillë për dorëzimin e stufave të vjetra që përdorin lëndë djegëse jo-ekologjike në këmbim të kondicionerëve inverter për ngrohje, u organizua në komunën e Saraj. Në aksionin në Saraj, u dorëzuan 90 stufa.

Është e rëndësishme të theksohet se në dy vitet e ardhshme, në përputhje me kushtet e thirrjes publike, inspeksioni i qytetit ose shtetit mund të inspektojë personat që kanë marrë subvencion, për të parë nëse ata vërtet përdorin inverterët ose nëse është bërë mashtrim, për çka do të fillojë procedurë për kthimin e mjeteve financiare.

Thirrja publike për subvencione për kondicionerët inverter për ngrohje të shtëpive i ka përfshirë qytetarët që kanë blerë inverter nga data 01.01.2020, deri në fund të thirrjes më 30.11.2020 ose deri në ditën e shterimit të mjeteve financiare. Qytetarët kanë pas mundësinë që të aplikojnë onlajn në këtë thirrje.

Sipas kushteve në thirrje, qytetarëve do t'u kompensohen plotësisht shpenzimet për  blerjen e kondicionerit inverter, por jo më shumë se 62,000 denarë në vlerë neto.

Qëllimi i thirrjes publike për dhënien e subvencioneve për blerjen e kondicionerëve inverter është të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit në Shkup duke zvogëluar numrin e oxhaqeve që nxjerrin tym për shkak të ngrohjes së shtëpive gjatë periudhës së dimrit.