Arsovska: Përkrahje për çdo grua e cila aktualisht është subjekt sulmi dhe degradimi 23.12.2021

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, sot mori pjesë në Konferencën vjetore për decentralizimin e qeverisjes lokale nën organizimin e UNDP-së. Arsovska iu drejtua panelit “Qeverisje lokale me ndjeshmëri gjinore” në të cilin foli për rëndësinë e barazisë gjinore dhe për mundësitë për përfshirjen e grave në jetën publike në shoqërinë tonë.

- Të gjithë mund të shikonit se në periudhën parazgjedhore kishte me të vërtetë sulme të mëdha, sulme dhe orvatje për të nxjerrë jashtë loje ato të cilat konsideroheshin si hallka më të dobëta. Besoj se u tregua e kundërta, se fituan humanizmi dhe suksesi. Dje u zgjodha gruaја e parë kryetarе е BNJVL-së pas  pothuajse 50 vitesh ekzistencë dhe jam kryetarja e parë e zgjedhur e Qytetit të Shkupit. Nga njëra anë, kjo përbën një përgjegjësi të madhe, por nga ana tjetër, për mua përgjegjësia është akoma më e madhe që arrita të përballem me sukses me të gjitha diskreditimet dhe diskriminimet në periudhën që kaloi. Prandaj, nuk është për t’u habitur që numri i grave kryetare komunash është reduktuar në dy, duke pasur parasysh sulmet e instrumentalizuara të drejtpërdrejta, të cilat janë përpjekje për të mos pasur gra në pozita të larta dhe me përgjegjësi, veçanërisht kur ato janë të zgjedhura, dhe jo të emëruara – tha sot kryetarja Arsovska.

Ajo theksoi se këto sulme nuk duhet të shikohen si shkak për mosrealizimin e aktiviteteve të parashikuara.

-Nëse nuk ndryshohet diçka në këtë fushë, nuk do të ketë gra në funksione të larta  drejtuese. Prandaj ju bëj thirrje që të jepni mbështetje për çdo grua që aktualisht është subjekt i sulmeve, e cila vazhdimisht degradohet. Kjo nuk do të ndryshojë derisa të gjithë të qëndrojmë pas tyre. Ka njerëz të paguar me mjetet tona, funksionarë shtetërorë dhe njerëz në pozita të larta të cilët fyejnë dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi, as morale, as etike, dhe nuk ka asnjë dënim nga shoqëria për mënyrën se si sillen. Një sjellje e tillë nuk duhet të lejohet kurrsesi në një shoqëri demokratike, ndërsa e jona nuk është kurrsesi një shoqëri për të gjithë. „Jo dhunës ndaj grave në jetën publike“ duhet të vlejë për çdo grua në Maqedoni, dhe jo vetëm për ato që janë në rrethin më të ngushtë të pushtetit qendror. Përderisa lejohet që bartës të funksioneve të sillen në një mënyrë të tillë, njerëzit do të konsiderojnë se për të gjithë është e lejueshme një sjellje e tillë.

Ajo shpjegoi se momentalisht ka vetëm dy gra kryetare komunash në Maqedoni dhe ky është një numër dëshpërues.