Po realizohet faza e tretë e projektit strategjik për hulumtimin dhe studimin e tubacioneve magjistrale të ujësjellësit 24.1.2024

Qyteti i Shkupit vazhdon me fazën e tretë për realizimin e projektit strategjik nga programi “Për Shkupin Modern” për hulumtimin dhe studimin e tubacioneve magjistrale të ujësjellësit. Me përgatitjen e studimit strategjik, do të kemi për herë të parë diagnostikimin dhe përcaktimin e gjendjes së dy tubacioneve ekzistuese të ujësjellësit prej çeliku, me dimension Ф1600, për herë të parë pas ndërtimit të tyre.


Në fazën e tretë analizohet gjendja e vetë tubave në pjesën e tyre mbitokësore dhe nëntokësore në komunën e Gazi Babës, gjendja e objekteve që janë ndërtuar për eksploatimin korrekt të tubacionit, përkatësisht pusetat prej betonarmeje me pajisjet hidro- mekanike, konstruksioni i urës së pjesës mbitokësore të tubacionit, si dhe pajisjet për mbrojtje aktive katodike etj. Me fazën e tretë të Studimit për tubacionet magjistrale të ujësjellësit, në bazë të testeve dhe analizave të hollësishme, që po kryhen për herë të parë pas 60 vitesh, është analizuar furnizimi me ujë i qytetit të Shkupit nga sasia e ujit që është në dispozicion nga dy objektet ujëmbledhëse, që lëviz përmes dy tubacioneve të çelikut.

Testet në terren kryhen nga ekspertë dhe profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, për të marrë një studim të saktë për tubacionet magjistrale të ujësjellësit që janë ndërtuar 60 vjet më parë, dhe studimi duhet të japë informacion se çfarë masash duhen ndërmarrë për të parandaluar dukuri të padëshiruara në të ardhmen dhe të ketë të gjitha informacionet për këto tubacione kyçe në Shkup.


Duke pasur parasysh që tubacionet janë prej çeliku dhe të ndërtuara në periudhën pas tërmetit në vitin 1964, pas 60 viteve të funksionimit të tyre, me këtë studim do të kemi një pasqyrë të detajuar të situatës dhe udhëzime për nevojat e ardhshme për investime në këtë segment. Thelbi i përgatitjes së studimit strategjik është përcaktimi i gjendjes së dy tubacioneve kryesore metalike, njëri që shtrihet përgjatë trasesë së bulevardit “Njësitë Partizane” dhe tjetri përgjatë bulevardit “Slloveneçka” dhe “Bosnja dhe Hercegovina”.