Arsovska: Pas tri dekadash fillojmë me rikonstruksionin e plotë të rrugës "Slavka Dinkova" në Draçevë 24.8.2022

Qyteti i Shkupit sot filloi rikonstruksionin e rrugës “Slavka Dinkova” në lagjen Draçevë në komunën Kisela Voda. Në fillimin e punimeve morën pjesë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe kryetari i Komunës së Kisela Vodës, Orce Gjorgievski.

Me këtë projekt, përveç rikonstruksionit të plotë të rrugës, me gjatësi të përgjithshme 1.175 metra, në të njëjtën kohë po kryhet për herë të parë edhe ndërtimi i kanalizimit atmosferik. 

- Bëhet fjalë për një nga rrugët më të rëndësishme në këtë vendbanim, e cila nuk është rikonstruktuar për më shumë se 30 vjet, dhe në të njëjtën kohë për herë të parë do të ndërtohet kanalizimi atmosferik. Me këtë projekt përmirësohet dukshëm infrastruktura për qytetarët, lehtësohet lëvizja dhe qasja për më shumë se 30.000 qytetarë që qarkullojnë çdo ditë nëpër rrugën “Slavka Dinkova”. Me realizimin e këtij projekti zgjidhet problemi shumëvjeçar me ujërat atmosferikë - tha kryetarja Arsovska.

Kryetari, Gjorgievski shprehu kënaqësinë për fillimin e realizimit të këtij projekti, të cilin Qyteti i Shkupit e realizon me marrëveshjen për bashkëpunim ndërkomunal me Komunën e Kisela Vodës.

Vlera e projektit është 34.379.507 denarë me TVSH, ndërsa për realizimin e tij nëpërmjet ankandit elektronik publik është arritur edhe ulja e çmimit për më shumë se 16 milionë denarë, dhe kursim prej 32% nga vlera e parashikuar e projektit.