SHILEGOV: ËSHTË I DOMOSODSHËM PLANIFIKIMI STRATEGJIK – EDHE PËR PARANDALIMIN, EDHE PËR MENAXHIMIN E KRIZAVE ME SUKSES 25.3.2021

Sot, Kryetari Petre Shilegov, mori pjesë dhe iu drejtua në konferencën "Kapaciteti i përmirësuar për parandalimin e fatkeqësive dhe menaxhimin e krizave në nivel lokal", e cila u mbajt në Hotel “Hilton”. Konferenca u organizua në kuadër të projektit "Kapaciteti i përmirësuar për menaxhim me kriza të komunave në Maqedoninë e Veriut" i cili zbatohet nga Instituti për Demokraci me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, përmes Ambasadës Britanike në Shkup. Projekti synon të forcojë menaxhimin strategjik me kriza në tetë komuna të zgjedhura dhe tëtregon procesin e zhvillimit të planeve strategjike lokale për të zvogëluar rreziqet e fatkeqësive dhe katastrofave.

Qëllimi i konferencës është të realizohet diskutim për sistemin e menaxhimit me kriza, mundësitë për bashkëpunim dhe mbështetjen e ndërsjellë të organeve kombëtare dhe lokale në këtë fushë, si dhe të paraqesë procesin e përpilimit të planeve strategjike lokale për të zvogëluar rreziqet nga aksidentet dhe katastrofat në tetë pilot-njësitë të vetëqeverisjes lokale.

 

- Rëndësia e menaxhimit të mirë me kriza shihet kryesisht në kohë krizash, dhe fatkeqësisht jetojmë në një kohë kur krizat vazhdimisht na imponojnë sfida të reja edhe si njerëz, por edhe si institucione që mbajnë përgjegjësi të caktuara në këtë fushë, në përputhje me kompetencat të definuara me ligj. Si vend, kemi më shumë se një vit që kemi të bëjmë me krizën e imponuar nga pandemia globale e koronavirusit, e cila nga ana tjetër është një periudhë mjaft e gjatë për të nxjerrë disa mësime dhe përfundime prej ku mund të dalin hapa konkretë. Përvoja me shpejtësinë e përgatitjes dhe rregullimit të rrethit të Qendrës Klinike për ndërtimin e spitalit infektiv montues, si dhe zgjidhjet e trafikut që siguruan kalueshmëri më të madhe për ambulancat ishte një sfidë me të cilën ne u përballuam me sukses, por në të njëjtën kohë kjo na tregoi një numër anomalish të sistemit që ka vend për t'u mënjanuar në mënyrë që sistemi të avancohet drejt një efikasiteti më të madh. Ajo që vazhdimisht po na tërhiqet si institucione është domosdoshmëria e planifikimit strategjik si pjesë kryesore e parandalimit, por edhe si parakusht për suksesin e menaxhimit të krizës gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj - tha në fjalimin e tij Kryetari Shilegov.

Ai shtoi se roli i Qytetit të Shkupit dhe komunave si njësi të vetëqeverisjes lokale në pjesën e menaxhimit të krizave pak a shumë definohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Menaxhimin e Krizave, Ligjin për Mbrojtje dhe Shpëtim se dhe me akte të tjera ligjore që shpesh dinë të jenë faktorë kufizues që ndikojnë negativisht në shpejtësinë dhe efikasitetin e menaxhimit të krizave.

 

- Në përputhje me këto ligje, Qyteti i Shkupit në pjesën e planifikimit ka për obligim të përgatisë dhe azhurnojë rregullisht Vlerësimin e rrezikut në territorin e Qytetit të Shkupit nga të gjitha rreziqet dhe të përgatisë Plan për mbrojtjen dhe shpëtimin e qytetit të Shkupit nga fatkeqësitë natyrore dhe katastrofat e tjera. Në këtë drejtim, çdo vit përgatitet program vjetor i veprimit për mbrojtje dhe shpëtim, i cili përmban supozime të përgjithshme normative për realizimin e Strategjisë Kombëtare për mbrojtje dhe shpëtim. Prej këtu, lind nevoja për një analizë më të thellë dhe më gjithëpërfshirëse të strukturës ligjore dhe institucionale të sistemit të menaxhimit me kriza. Kjo në masë të madhe do të na ndihmojë si institucione për të identifikuar boshllëqet sistemike dhe sfidat që pandemia Covid-19 i nxori në sipërfaqe - shpjegoi Shilegovi.

Ai falënderoi Institutin për Demokraci "Societas Civilis" - Shkup dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar që përmes implementimit të projektit "Kapaciteti i përmirësuar për menaxhim me kriza të komunave në Maqedoninë e Veriut" do të ndihmojë në përforcimin e menaxhimit strategjik të krizave në Qytetin e Shkupit dhe disa komuna tjera të zgjedhura, ndërsa më tej do të tregojë procesin e zhvillimit të strategjive për gatishmërinë dhe menaxhimin e krizave të komunave të tjera në vend.

- Ky projekt do të na ndihmojë për të përmirësuar informimin e qytetarëve në lidhje me kompetencat e komunave në sistemin e menaxhimit me krizat, si dhe për mënyrat e mundshme në të cilat qytetarët do të mund të përfshihen, gjë që do të na ndihmojë si institucione për t'u përgjigjur më mirë në atë që quhet interes publik. Menaxhimi i krizave duhet të jetë subjekt i veprimit strategjik nëse duam të menaxhojmë me sukses krizat dhe të minimizojmë pasojat e tyre të dëmshme për qytetarët. Në këtë mënyrë, theksi më i madh duhet t'i vihet planifikimit dhe parandalimit në lidhje me veprimet ad-hoc që shpesh imponohen nga disa situata me specifikat e tyre. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve të Shkupit është gjithmonë ndër prioritetet kryesore të institucioneve të vetëqeverisjes lokale dhe për këtë arsye është mirë që jemi këtu dhe është mirë që të flasim për këtë temë, dhe unë sinqerisht shpresoj se ne mundemi me forca të bashkuara të vijmë në një sistem që do të garantojë rezultate edhe më të mira në menaxhimin e krizave gjë e cila do të kontribuojnë drejtpërdrejt për siguri më të madhe dhe mbrojtje më të mirë të qytetarëve - tha sot kryetari Shilegov.

Në konferencën e sotme u drejtuan edhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Rejçel Gallovej, Koordinatori kombëtar për zbatimin e Platformës kombëtare për zvogëlimin e rrezikut nga katastrofat dhe fatkeqësitë, Zoran Petrov, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, drejtor i Qendrës për Menaxhimin me Kriza Stojançe Angelov, kryetarë të komunave dhe ekspertë.