Arsovska: Për katër muaj janë zgjidhur dy herë më shumë lëndë kontestuese për “ASNOM” sesa udhëheqja e mëparshme për tri vite 25.3.2022

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska sot në konferencën për media për urën “ASNOM” ndau me publikun se cilat janë lëndët kontestuese që duhet të zgjidhen për realizimin e plotë të projektit, duke theksuar se planifikimi jo adekuat i të gjitha fazave të projektit është arsyeja kryesore për gjendjen aktuale për të cilën në mënyrë aktive po gjenden zgjidhje për tejkalimin e saj.

Arsovska theksoi se ky është thelbi i të gjitha projekteve që mbetën në fazën fillestare nga udhëheqja e mëparshme, ku është konstatuar se që nga fillimi është planifikuar pjesërisht vetëm një fazë e projektit, ose një pjesë dhe këtu është ndalur. Nuk ka projekt që është lënë pa probleme, pra këto projekte kanë nisur me shpejtësi pa një planifikim adekuat.

“Ata që pengojnë dhe përhapin informacione të pasakta se projektet janë ndërprerë do t'i përgënjeshtroj pikërisht nga ky vend, po e përsëris edhe një herë si shumë herë deri më tani se asnjë projekt që është i mirë për shkupjanët dhe që është nisur në interes të tyre nuk do të ndërpritet. Ky projekt është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetarët e Aerodromit dhe Gazi Babës dhe do të realizohet deri në fund, edhe pse këtu siç mund ta shihni edhe vetë, ai që e ka nisur projektin nuk ka planifikuar paraprakisht si duhet ta përfundojë, sepse që nga fillimi nuk janë planifikuar në mënyrë adekuate të gjitha fazat”, tha kryetarja Arsovska në konferencën e sotme për media.  

Arsovska theksoi se problemi më i madh i këtij projekt janë shpronësimet.

“Që nga viti 2018, kur ka nisur projekti, janë 139 parcela dhe 136 objekte që duhet të zgjidhen ose gjithsej 275 procedura shpronësimi. Për tri vite kanë arritur të zgjidhin 31 lëndë, ndërsa 8 prej tyre kanë hyrë në procedurë kontestimi. Ne vetëm për katër muaj zgjidhëm 82 lëndë”, shtoi kryetarja Arsovska.

Deri më tani në pjesën e urës nga nëntori e deri më sot janë kryer aktivitete ndërtimore për asfaltimin e urës dhe një pjese të rrugës, shtrëngimi i kabllove për tendosjen e urës, vendosja e ndriçimit dhe shtyllave dekorative, vendosja e gardhit të urës, përkatësisht gardhit mbrojtës dhe gardhit elastik, u zgjidh problemi me rregullimin e shtratit të lumit, u vendosën dilatimet e urës, u bënë testime për ndikimet statike dhe dinamike të urës, shtyllat janë mbështjellë me pllaka graniti, dhe nga ana e Keramidnicës u përfunduan punimet tokësore, argjinatura dhe struktura e sipërme. Të gjitha aktivitetet e lidhura me këtë pjesë të urës do të përfundojnë deri më 10 prill të këtij viti sipas dinamikës së planifikuar.“

Në pjesën te “East Gate” nga nëntori e në vazhdim është kryer lidhja e rrjetit të ujësjellësit, lidhja e degës 1 dhe degës 2 të rrjetit atmosferik, është përfunduar plotësisht rruga veriore së bashku me korsinë për këmbësorë dhe biçikleta përveç pjesës ku kemi hasur probleme të pronësisë juridike, janë përfunduar të gjitha elementet bazë për ndriçimin e ri të bulevardit dhe me ndërtimin e bulevardit u mundësohet operatorëve kabllorë dhe EVN-së të kryejnë rikonstruksionin dhe vendosjen e instalimeve”, theksoi Arsovska.

Tenderi i fazës së fundit në pjesën afër Keramidnicës do të realizohet nga fundi i këtij viti. Përfundimi final i bul. “ASNOM” me të tri fazat pritet pasi të zgjidhim të gjitha problemet ekzistuese, dhe i njëjti do të lëshohet në përdorim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.