URA E PARË E VARUR NË SHKUP DO TË LIDHË MË SHUMË KOMUNA TË QYTETIT 26.8.2021

Po vijon ndërtimi i urës së re të varur në rrugën Ljubljanska në komunën e Shkupit në Karposh. Mbikëqyrje në punimet ndërtimore të këtij objekti të rëndësishëm infrastrukturor sot kryejtën kryetari Petre Shilegov, kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministrat, Artan Grubi dhe Fatmir Bytyqi, kryetar i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev dhe përfaqësues të TAV.

Për kënaqësinë time të madhe, për vetëm katër vite në Shkup po fillojmë ndërtimin e një ure të dytë. E para ndërtohet midis komunave të Aerodromit dhe Gazi Babes, e tani urën tjetër po e ndërtojmë këtu, në Karposh. Kjo urë paraqet bashkimin e qytetit, bashkimin dhe komunikimin e njerëzve, një urë që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit sepse në këtë fazë nga rruga Ilindenska jemi duke u bashkuar me rrugën Skupi, dhe në fazën tjetër vazhdojmë në bulevardin Sllovenia, që të munden qytetarët nga Gjorçe Petrov, nga Volkova dhe nga fshati Novo sello të jenë më afër pjesës tjetër të qytetit. Me këtë urë banorët e Karposhit i lidhim me qarkoren, duke pasë parasysh se çfarë infrastrukture po ndërton Qyteti në pjesën tek Momin Potok. Ne nuk do të kishim mundur ta realizojmë këtë urë nëse nuk do të kishim ndihmën dhe mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila me rishpërndarjen e fondeve të TAV për ndërtimin e aeroportit në Shtip ka ndarë rreth 380 milion denarë për Qytetin e Shkupit për ndërtimin e kësaj ure - ura e parë e varur, një mrekulli arkitekturore që pretendon të shndërrohet në një monument të ri të qytetit tonë - tha sot kryetari Shilegov.

Ai paralajmëroi se ndërtimi i urës do të përfundojë rreth 18 muaj, ka mesi i vitit 2023, atëherë kur do mund të përdoret kjo urë.

- Punuam me përkushtim, do punojmë me përkushtim për prioritetet e vërteta të qytetarëve tanë, në prioritetet e vërteta të Shkupit - theksoi Shilegov.

Me ndërtimin e urës së re përmes lumit Vardar, do të lidhen rruga Lubjanska dhe bulevardi Ilinden me rrugën Skupi në komunën e Karposhit. Kjo urë e parë e varur në Shkup është parashikuar të ketë 4 korsi rrugore dhe shtigje për këmbësorë e çiklistë në të dy anët e rrugës. Gjatësia totale e saj është 940 metra, ndërsa vetë gjatësia e rrugës është 113 metra. Vlera e kësaj marrëveshje është 382,5 milionë denarë duke përfshirë edhe TVSH-në.

Pas lidhjes me rrugën Skupi, krijohen kushtet për të filluar fazën e tretë e cila nga rruga Skupi vazhdon drejt bulevardit Sllovenia. Në këtë mënyrë, bëhet lidhja me zonën industriale në Vizbeg dhe rruga për në Kosovë.

- Në vend të rrugëve fasaduese nga gipsi dhe kartoni, Shkupi fiton atë që është interesi primar i qytetarëve, si infrastruktura rrugore dhe ashtu siç e meriton dhe ka nevojë një metropolë moderne. Sot jemi këtu për të uruar realizim të suksesshëm të urës “Lubjanska", urë e cila është nevojë e jashtëzakonshme për qytetarët e Shkupit dhe që do të lidhë dy pjesë të qytetit e ku ka dinamikë të madhe. Ky është rast tjetër për të falënderuar ekipin menaxherial të TAV për mirëkuptimin dhe menaxhimin efikas të paketës financiare në vlerë prej 49,7 milionë eurosh, me çka përmes bashkëpunimit në mes të Qeverisë, TAV-it dhe komunave, po realizohen gjithsej 94 projekte infrastrukturore duke përfshirë rindërtimin e terminaleve në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit - tha në drejtimin e tij kryeministri Zaev.