Qyteti i Shkupit përfundimisht po merr masa sistematike dhe konkrete për ballafaqimin me ajrin e ndotur 27.12.2021

Mjedisi jetësor i shëndetshëm me ajër të pastër, mjedisi i pastër dhe më shumë hapësira të gjelbra janë parakushte për sigurimin e jetës cilësore për qytetarët e Shkupit dhe pikërisht ky do të jetë përkushtimi themelor i Qytetit të Shkupit në këtë mandat katërvjeçar. Për fat të keq, shikuam se pushteti i mëparshëm vendor nuk ka bërë sa duhet që të mundësohet e gjitha kjo dhe në vend të zgjidhjeve, Shkupi sot është një nga qytetet më të ndotura në botë. Edhe përkundër programit të Shilegovit të vitit 2017 i cili u promovua për zgjidhjen e këtij problemi të nxehtë dhe uljes së ndotjes për 50%, nëpërmjet një set masash siç janë gazifikimi, pastrimi i deponive, rritja e inspektimit dhe ulja e emetimit të substancave ndotëse nga ngrohja e amvisërive, pothuajse asgjë nga kjo nuk është realizuar.      

Qyteti i Shkupit tashmë filloi me një set masash sistematike dhe konkrete për ballafaqimin me ajrin e ndotur dhe pikërisht kjo është një nga prioritetet në të cilat do të punojë administrata e re e qytetit. Këto masa plotësuese për sigurimin e cilësisë më të lartë të jetës për qytetarët, do të kontribuojnë për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në Shkup.  

Që nga ditët e para të mandatit të vet administrata filloi me pastrimin intensiv të të gjitha deponive të paligjshme të cilat u detektuan në territorin e Qytetit të Shkupit dhe deri më tani janë pastruar mbi 120 deponi, ndërmjet tyre në Lisiçen e Re, Novo Selo dhe në shumë vende të tjera.

Në mënyrë plotësuese, Qyteti filloi me rritjen e mbikëqyrjes inspektuese dhe jo selektive dhe vendosjen e zgjidhjeve sistematike, gjë me të cilën çdo person fizik ose juridik që ndot ambientin dhe me të ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndotjen e ajrit, do të ndëshkohet me gjoba të larta. Për herë të parë në mënyrë jo selektive shqiptohen gjoba drakonike për rrezikimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, dhe njëra u shqiptua jo shumë kohë më parë në vlerë prej 88 mijë euro.   

Qyteti i Shkupit ka program dhe projekte se si të ballafaqohet me këtë problem imediat. Plani është që nëpërmjet modernizimit të transportit publik, të ndikohet drejtpërsëdrejti dhe të përmirësohet cilësia e ajrit.

Përveç kësaj janë planifikuar edhe korsi të reja për biçikleta, subvencione për blerjen e biçikletave dhe trotineteve elektrike, gjë me të cilën qytetarët do të motivohen që të përdorin transportin alternativ. Qyteti i Shkupit planifikon edhe ndërtimin e pesë parqeve të mëdha, duke rritur në këtë mënyrë gjelbërimin në qytet.

Krahas punës së papërgjegjshme të qeverisjes vendore të mëparshme, me siguri këtë dimër do të jetë problem edhe kriza ekonomike e cila godet në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët. Pas njoftimeve për rritjen drastike të çmimit të energjisë elektrike, një pjesë e qytetarëve bënë të ditur se do të përdorin dru zjarri për ngrohje, gjë që do të reflektohet negativisht në ndotjen e ajrit.