Arsovska: Pas 3 dekadave realizohet ujësjellësi i premtuar në 7 vendbanime në komunën e Sarajit 29.6.2023

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, sot paralajmëruan fillimin e aktiviteteve ndërtimore për realizimin e projektit për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit në 7 vendbanime: Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq, Llaskarcë, Semenishtë dhe Çajlane, në komunën e Sarajit.

Aktivitetet ndërtimore fillojnë me ndërtimin e stacionit të ri pompues në afërsi të Rashçes, tubacioneve të presionit në drejtim të Kopanicës dhe Bojanes, si dhe me ndërtimin e rezervuarit në Kopanicë me kapacitet 600 metra kub.

- Me realizimin e këtij projekti realizohet ujësjellësi i premtuar për vendbanimet Rashçe, Kopanicë, Bojane, Bukoviq, Laskarcë, Semenishtë dhe Çajlanë, ku jetojnë gati se gjysma e popullsisë të komunës së Sarajit. Për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar në këtë pjesë të qytetit, investojmë mbi 3 milionë euro, ndërsa banorët e komunës së Sarajit do të fitojnë furnizim më cilësor me ujë. Ne kujdesemi për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe investojmë në ofrimin e kushteve cilësore për jetesë në çdo komunë dhe vendbanim në qytet - tha Arsovska.

Kryetarja Arsovska theksoi se Qyteti i Shkupit vazhdimisht po punon për përmirësimin e furnizimit me ujë në qytet në përputhje me projektet e premtuara të programit “Për Shkupin modern”, ku zgjidhja e problemeve me rrjetin e ujësjellësit është një nga prioritetet.