FILLOI ASFALTIMI I RRUGËS ESENINOVA 29.3.2021

Ekipet e Qytetit të Shkupit këto ditë kanë filluar asfaltimin e rrugës Eseninova, depërtimi i së cilës filloi verën e kaluar. Me këtë trasë të re rrugure fitohet një lidhje tjetër trafiku e Kisella Vodës, Aerodromit dhe Qendrës, respektivisht bulevardeve Boris Trajkovski dhe Brigadës së Tretë Maqedonase.

Rruga e sapo ndërtuar Eseninova do të jetë 730 metra e gjatë, me gjerësi të ndryshueshme, gjegjësisht do të ketë dy korsi rrugore dhe trotuare në të dy anët në Kisella Voda, dhe pastaj katër korsi rrugore para hyrjes në Brigadën e Tretë Maqedonase. Është planifikuar të vendoset ndriçimi i ri rrugor me 20 shtylla, rrjet i ri ujësjellësit dhe kanalizimit dhe do të zhvendosen rezervuarët dhe bunaret ekzistuese të vendosura në atë lokacion.

Rruga Eseninova ka një rëndësi të madhe për banorët e Kisella Vodës, Aerodromit dhe Qendrës, sepse paraqet lidhjen e tretë të pjesëve urbane të Aerodromit dhe Kisella Vodë. Bulevardi Brigada e Tretë Maqedonase me  gjatësi prej 2.5 km ka vetëm 2 lidhje me Kisella Vodën, njëra përmes bulevardit Srbija me bulevardin Boris Trajkovski, dhe e dyta, gryka e  ngushtë e njohur tek “Kombinati i duhanit", e cila gjithashtu lidh Aerodromin me Kisella Vodën dhe me Qendrën.

Me ndërtimin e Eseninovës, kjo grykë e ngushtë në komunikacion do të shkarkohet, trafiku rreth "Kombinatit" do të shkurtohet, i cili në periudhat e bllokimit më të madh të trafikut zgjat nga 5 në 10 minuta. Kjo do të ndihet nga qytetarët që udhëtojnë nga "Kontinentali" në Gazi Baba deri te Rampa në Kisella Voda, dhe të cilët duke e shmangur grykën e ngushtë tek rrethi “Kombinati i duhanit" qarkullojnë ose përmes bulevardit Serbia në Aerodrom ose përmes bulevardeve Krste Misirkov dhe Koço Racin në Qendër.

Depërtimi i rrugës Eseninova financohet nga buxheti i Qytetit të Shkupit dhe vlera e projektit është rreth 71,000,000 denarë.