Arsovska: Të ndërtojmë ura miqësie, bashkëpunimi dhe solidariteti ndërmjet qyteteve tona 29.11.2021

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, u drejtua në themelimin e rrjetit B40 të qyteteve të Ballkanit (B40 Balkan cities network) në kuadër të samitit që do të mbahet sot dhe nesër në Stamboll, Turqi. Në samit marrin pjesë 24 kryetarë qytetesh nga 11 shtete, të cilët sot biseduan për disa çështje kyçe që prekin qytetet e Ballkanit – siç janë transformimi dixhital, demokracia urbane dhe bashkëpunimi ekonomik. Bëhet fjalë për themelimin e rrjetit B40 të qyteteve të Ballkanit i cili do të hapë rrugën e bashkëpunimit ndërmjet qyteteve dhe shkëmbimin e përvojave pozitive për zgjidhjen e problemeve urbane.

- Kemi një mundësi reale që të bashkohemi rreth një iniciative të rëndësishme, iniciativës së 40 qyteteve e cila bashkoi të gjithë Ballkanin. Sot, në Stamboll, kemi mundësi të bisedojmë për atë se sa të ndryshëm janë qytetet tona, por ka edhe gjëra të cilat na lidhin si përkushtimi ndaj tranzicionit të gjelbër, transformimi dixhital, qytete gjithëpërfshirëse në të cilat të gjithë ne duam t’u mundësojmë pjesëmarrje aktive qytetarëve tanë në krijimin e politikave. Por, para së gjithash, bashkëpunimi ekonomik ndërmjet qyteteve tona është ajo që duhet të na bashkojë, t’u japim mundësi qytetarëve tanë të jetojnë në qytet më të bukur. Ky duhet të jetë synimi i bashkëpunimit tonë të ardhshëm – tha sot kryetarja Arsovska.

Ajo shtoi se bëhet fjalë për një iniciativë e cila për herë të parë i bashkoi qytetet ballkanike në një platformë unike.

- Besoj se me këtë iniciativë do të arrijmë të tregojmë se mund të bashkëpunojmë, se mund të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe se do të mundësojmë rritjen dhe zhvillimin e qyteteve tona edhe për qytetarët tanë. Që këtu, nga Stambolli, të fillojmë të ndërtojmë ura miqësie, bashkëpunimi dhe solidariteti dhe të tregojmë se mund të jemi të suksesshëm nëse këto iniciativa i realizojmë së bashku.

Sipas nikoqirit të samitit, kryetarit të qytetit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, 24 qeverisje vendore nga Ballkani nga sot do të krijojnë një bazë të re për bashkëpunim dhe zhvillimin e një vizioni të ri për të ardhmen e qyteteve dhe të të gjithë rajonit. 

- Me dekada të tëra, fjalët „Ballkan“ ose „ballkanizim“, në literaturën ndërkombëtare përdoren për të përshkruar ndarje etnike, mosmarrëveshje kufitare dhe konflikte. Megjithatë, sot jemi këtu për të hapur një faqe të re për rajonin tonë. U takuam që së bashku të ndërtojmë një bashkëpunim më të fuqishëm dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë. Besoj se rrjeti B40 që filluam sot do të jetë edhe rrjeti i paqes dhe demokracisë ndërmjet qyteteve ballkanike. Pluralizmi, barazia gjinore, drejtësia dhe sundimi i së drejtës janë po aq të rëndësishme dhe të domosdoshme për qeverisjet vendore ashtu siç janë edhe për vendet – theksoi Imamoglu, në fjalimin e tij para të  pranishmëve në samit.

Kryetarët e qyteteve të pranishëm në samit u zotuan që të bashkëpunojnë dhe krijojnë politika për avancimin e qyteteve dhe të Ballkanit, në përputhje me vizionin evropian.

Në kuadër të samitit, gjatë ditë së nesërme kryetarja Arsovska do të ketë takime bilaterale me kryetarët e qyteteve të rajonit.