PUSHTETI QENDROR DUHET TË REALIZOJË MASA PËR TË PASUR EFEKT MBI CILËSINË E AJRIT AMBIENTAL 29.12.2021

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në konferencën e sotme për media diskutoi për rekomandimet dhe masat e ndërmarra nga Qyteti i Shkupit në drejtim të  uljes së ndotjes së ajrit. Ajo theksoi se të gjitha institucionet, në nivel qendror dhe lokal, duhet të realizojnë masat që janë nën kompetencat e tyre në mënyrë që ato të kenë efekt real.

- Vetë kushtet diktojnë që pushteti qendror të marrë masa më serioze në lidhje me atë që shohim tani, i cili është një alarm i caktuar. Ne rekomandimet tona i nxorëm, rekomandimet tona bazohen në atë që është përcaktuar paraprakisht si plan, megjithatë për një pjesë të tyre përgjegjësi ka edhe pushteti qendror. Ne nuk mund të parandalojmë hyrjen e automjeteve, gjegjësisht t'i ridrejtojmë ato. Ne nuk mund të bëjmë një pjesë të madhe të punëve që janë brenda rekomandimeve, kjo është përgjegjësi e pushtetit qendror dhe këtë duhet ta bëjë, përfundimisht duhet të marrë përgjegjësinë sepse është bartësi i pushtetit - tha kryetarja Arsovska.  

Ajo theksoi një pjesë të masave që do t'i zbatojë Inspektorati i qytetit në periudhën e ardhshme, si intensifikimi i aktiviteteve në terren nga inspektorët komunalë, si dhe inspektimet e jashtëzakonshme të kapaciteteve industriale, kontrolli i të cilave është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit.

- Ne nuk zbatojmë vetëm rekomandime, kemi njerëz që vazhdimisht kontrollojnë objektet industriale në  terren, të cilët kryejnë inspektime dhe kontrolle të jashtëzakonshme, ku në dy muajt e ardhshëm do të kemi më shumë inspektime sesa për disa vite me radhë. Në dy vitet e fundit janë kryer vetëm 5 inspektime për mjedisin. Në këtë moment shërbimet inspektuese ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm dhe po shqiptohen gjoba, për hedhjen e mbetjeve dhe mbeturinave ndërtimore, për djegien e mbeturinave... Shërbimet janë vazhdimisht në terren dhe çdo gjë që ka mundësi ta bëjë Qyteti i Shkupit, do ta bëjë dhe po e bën - shtoi Arsovska.   

Ajo foli edhe për masat e tjera që janë realizuar në periudhën që kaloi dhe që kanë ndikim të madh në mjedisin dhe cilësinë e ajrit në Shkup.

  - Për të ndikuar në cilësinë e ajrit, duhet të zbatohet një set masash gjithëpërfshirëse, që do të plotësojë njëra-tjetrën, me qëllim kufizimin e të gjitha burimeve të ndotjes. Ne do të zbatojmë një sërë masash, do të bëjmë gjithçka që është nën kompetencat tona. Në periudhën që kaloi kemi pastruar 120 deponi të paligjshme që deri dje digjeshin dhe ndotnin ajrin dhe tashmë nuk ekzistojnë më. Ato janë të rrethuara, të mbyllura, as mund të hedh dikush mbetje atje, as mund t'i djegë ato - tha Arsovska.