BANORT E KISELLA VODËS TË CILËT KANË APLIKUAR PËR INVERTER KËTË FUNDJAVË DO T’I DORËZOJNË STUFAT E VJETRA 30.10.2020

Banorët e komunës së Kisella Vodës të cilët aplikuan për subvencione për blerjen e kondicionerëve-inverter në Qytetin e Shkupit, këtë fundjavë (të shtunën dhe të dielën) do të kenë mundësinë t’i dorëzojnë stufat e tyre të vjetra me dru ose naftë në oborrin e shkollës së mesme "Vasil Antevski-Dren". Aksioni do të zgjasë nga ora 10:00 deri në orën 16:00, në të dy ditët.

Në Qytetin e Shkupit kanë arritur 5,000 aplikacione, kurse nga komuna e Kisella Vodës kanë arritur 787 aplikacione në këtë thirrje publike. Gjatë fundjavave të kaluara, një aksion i këtillë për dorëzimin e stufave të vjetra që përdorin lëndë djegëse jo-ekologjike në këmbim të kondicionerëve invertorë për ngrohje, u organizuan në komunat e Saraj, Shuto Orizari, Karposh, Gazi Babë dhe Aerodrom.

Është e rëndësishme të theksohet se në dy vitet e ardhshme, në përputhje me kushtet e thirrjes publike, inspeksioni i qytetit ose shtetit mund të inspektojë personat që kanë marrë subvencion, për të parë nëse ata vërtet përdorin inverterët ose nëse është bërë mashtrim, për të cilin do të fillojë procedurë për kthimin e mjeteve financiare.

Thirrja publike për subvencione për kondicionerët inverter për ngrohje të shtëpive i ka përfshirë qytetarët që kanë blerë inverter nga data 01.01.2020, deri në fund të thirrjes më 30.11.2020 ose deri në ditën e shterimit të mjeteve financiare. Qytetarët kanë pas mundësinë që të aplikojnë onlajn në  këtë thirrje.

Sipas kushteve në thirrje, qytetarëve do t’u kompensohen plotësisht shpenzimet për blerjen e kondicionerit inverter, por jo më shumë se 62,000 denarë në vlerë neto.

Qëllimi i thirrjes publike për dhënien e subvencioneve për blerjen e kondicionerëve inverter është të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit në Shkup duke zvogëluar numrin e oxhaqeve që nxjerrin tym për shkak të ngrohjes së shtëpive gjatë periudhës së dimrit.