Arsovska në takime bilaterale me kryetarët e kryeqyteteve të Ballkanit 30.11.2021

Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danela Arsovska sot pati takime bilaterale me kryetarin e Stambollit, Ekrem Imamoglu, si dhe me kryetarët e kryeqyteteve të Athinës, Kostas Bakojanis, Podgoricës, Ivan Vukoviq,  Beogradit, Zoran Radojiçiq dhe Sarajevës, Benjamina Kariq, në kuadër të samitit të Stambollit, ku dje u formua rrjeti B40 i qyteteve ballkanike. 
 
Në takimet u bisedua për projekte të cilat janë prioritete për Qytetin e Shkupit, si dhe për eksperiencat pozitive të cilat mund të përshtaten dhe zbatohen në kryeqytetin tonë. 
 
Kryetarja në të njëjtën kohë sot nënshkroi Deklaratën për bashkëpunimin e qyteteve të Ballkanit, me vizion të përbashkët për realizimin e projekteve, me qëllim vendosjen e bashkëpunimit të frytshëm në fusha me interes të përbashkët dhe gjetjen e zgjidhjeve në nivel lokal dhe rajonal.
 
Me Deklaratën të gjithë kryetarët u obliguan për menaxhim lokal transparent dhe gjithëpërfshirës, të bazuar në të dhëna dhe shkëmbimin e njohurive. Gjithashtu, u ra dakord që menjëherë të formohen grupe pune ndërmjet qyteteve, të fillohet me planifikimin e projekteve dhe aktiviteteve të punës që do të kontribuojnë në fuqizimin e demokracisë lokale dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.
 
Formimi i rrjetit dhe nënshkrimi i Deklaratës do t’u ndihmojë qyteteve të vlerësojnë vështirësitë dhe problemet me të cilat përballen dhe nëpërmjet shkëmbimit të zgjidhjeve dhe praktikave të mira, të lehtësojnë vendimmarrjen.