Arsovska: Realizuam gjithçka që ishte premtuar për 82 ditët e para edhe përkundër sulmeve dhe sabotimeve të përditshme 31.1.2022

Në konferencën e sotme për mediet kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska prezantoi të gjitha premtimet e dhëna dhe të realizuara nga fushata e saj parazgjedhore. Realizimi i të gjitha premtimeve në një afat prej 82 ditësh është tregues për organizimin e mirë dhe punën këmbëngulëse. Arsovska theksoi se me përkushtim, me shumë punë, qëllimi është që të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e Qytetit, të jenë në shërbim të qytetarëve, të punojnë për një qytet më të bukur, qytet në të cilin do të jenë të dukshme ndryshimet pozitive për të mirën e të gjithë qytetarëve.

U pastruan mbi 150 deponi të paligjshme nga të cilat 120 të identifikuara gjatë kohës së fushatës. Pastrimi i deponive të paligjshme do të mbetet praktikë edhe gjatë viteve të ardhshme, me qëllim një mjedis dhe ajër më të pastër. Arsovska theksoi se janë vendosur linjat e rregullta të natës në transportin publik, veçanërisht gjatë fundjavave. Përveç aktivizimit të linjave të natës, u mundësuan edhe linja të reja deri në vendbanimet në periferi të qytetit.

Si një nga hapat më të rëndësishëm të cilat Arsovska premtoi se do të ndërmarrë ishte edhe formimi i Këshillit Ekologjik të Qytetit – Këshilli i gjelbër në qytet në bashkëpunim me organizatat joqeveritare. Ky Këshill Ekologjik do të punojë në koordinim me programin në të cilin Qyteti i Shkupit ka parashikuar në lidhje me planifikimin urbanistik të qytetit, si dhe ngritjen e sipërfaqeve të reja të gjelbra të cilat janë të domosdoshme për qytetin e Shkupit. Këshilli Ekologjik i Qytetit do të ketë një rol këshillues edhe gjatë pjesës më të madhe të aktiviteteve që do të ndërmerren në drejtim të ngritjes të sipërfaqeve të gjelbra në Shkup, i cili do të ketë mundësi të japë propozimin e vet ose sugjerime pranë Qytetit.

U iniciua propozim Ligji për shpalljen e Vodnos park-pyll të mbrojtur, në bashkëpunim me shoqatën „О2” dhe „E dua Vodnon”, ndërsa qëllimi kryesor i tij do të jetë mbrojtja e Vodnos si brez i gjelbër.

Qyteti i Shkupit hapi linjë telefonike 24 orë në shërbim të qytetarëve nëpërmjet së cilës qytetarët do të realizojnë komunikim të rregullt dhe të shpejtë me administratën e Qytetit nëpërmjet numrit të telefonit 02 3207 536. Qëllimi i kësaj  linje 24 orë është që t’u përgjigjet rregullisht kërkesave të depozituara me shkrim nga qytetarët dhe kërkesave të cilat i drejtohen Qytetit të Shkupit për çfarëdo lloj problemi apo sfide, tha Arsovska.

Përveç linjës telefonike 24 orëshe, Qyteti i Shkupit formoi edhe shërbimin për reagim të shpejtë ndaj thirrjeve të qytetarëve. U emëruan persona përgjegjës nga Qyteti të cilët do të përgjigjen sipas sektorëve pyetjeve të qytetarëve dhe është krijuar shërbim për reagim të shpejtë i përbërë nga përfaqësues të të gjitha ndërmarrjeve publike nën kompetencat e Qytetit, të cilët do të veprojnë me qëllim zgjidhjen e shpejtë dhe efikase të sfidave me të cilat ballafaqohen qytetarët, potencoi Arsovska.

Kryetarja Arsovska theksoi se është realizuar edhe premtimi për parkim më të lirë për shkupjanët, ndërsa një nga premtimet në fushatën parazgjedhore  për zgjedhjet lokale të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska ishte vendosja e numëratorëve të semaforëve, në kryqëzimet ku nuk ndiqet lëvizja nga QMKT-ja. Përveç vendosjes së numëratorëve, u realizua edhe premtimi për kthimin e brezit të gjelbër në pjesët nën kompetencat e Qytetit të Shkupit. Kështu, janë vendosur numëratorë në bulevardet “Hristijan Todorovski Karposh” në semaforin në kryqëzimin me  “Natanail  Kuçevishki”, në kryqëzimin me “Boca Ivanova” dhe në kryqëzimin me bul. “Bosnja dhe Hercegovina”, dhe numëratorë do të vendosen edhe në disa semaforë për të cilët është detektuar se janë me rëndësi për rregullim.

Në 82 ditët e para të mandatit u realizua edhe premtimi për aksesin e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha institucionet e Qytetit, që ishte një nga premtimet parësore dhe i njëjti u realizua në afatin më të shpejtë të mundur. Ky hap është vetëm fillimi i strategjisë që institucionet e Qytetit të Shkupit të jenë të arritshme për të gjithë qytetarët. Me realizimin e këtij premtimi u përshtat edhe qasja e personave me aftësi të kufizuara në 9 ndërmarrje publike, 7 institucione kulturore dhe publike dhe në 23 shkolla të mesme të Qytetit të Shkupit, thotë Arsovska.

Realizimi i vetingut për respektimin e plotësimit të kushteve për drejtorët e institucioneve kulturore nën kompetencat e Qytetit dhe drejtuesve të sektorëve ishte një nga premtimet e domosdoshme për zgjidhje, me qëllim eliminimin e shkeljeve të ligjit dhe dispozitave në ndërmarrjet publike të Qytetit. Çdo person që në të ardhmen do aplikojë për një pozitë të caktuar ose avancim, paraprakisht duhet të kalojë nëpër një proces vetingu, me qëllim që personat që do të vendosen në pozita drejtuese të jenë me të kaluar të pastër dhe qasje të ndershme ndaj punës, shtoi Arsovska.

Qyteti i Shkupit rishikoi dhe përshtati procedurat për vlerësimin e pronës së qytetarëve, dhe në përputhje me metodologjinë për përcaktimin e vlerës së tregut të pasurisë së paluajtshme, vlerësimi duhet të jetë real dhe pasuria e qytetarëve të mos mbivlerësohet. Për këtë qëllim Qyteti realizoi rishikimin e akteve për përcaktimin e makro-lokacioneve, zonave për çdo komunë në veçanti.

Në drejtim të realizimit të përcaktimeve strategjike të qytetit të Shkupit për katër vitet e ardhshme, Qyteti i Shkupit formoi Këshillin për Mbështetjen e Sipërmarrjes së Grave si i pari i këtij lloji në Qytetin e Shkupit. Këshilli bashkon 25 organizata dhe ekspertë të fushës, të cilët do të punojnë në mundësimin e kushteve për rritjen e fuqisë ekonomike dhe pavarësisë financiare të grave. Këshilli do të ketë si synim të punojë në drejtim të rritjes së barazisë së grave në sferën e biznesit, si dhe rrjetëzimin me një numër të madh organizatash ndërkombëtare, thotë kryetarja Arsovska.

Ekipet e përbëra nga përfaqësues të sektorëve të Qytetit të Shkupit, si dhe përfaqësues të ndërmarrjeve publike nën kompetencat e Qytetit, formuan një ekip pune i cili do të identifikojë dhe zgjidhë të gjitha problemet në vendbanimet e harruara në qytetin e Shkupit. Ekipet janë formuar me përfaqësues të Qytetit dhe ndërmarrjeve publike, me qëllim reagimin e shpejtë për të gjitha problemet që kanë qytetarët në vendbanimet e harruara nëpër Shkup. Ky është edhe një nga premtimet e Arsovskës gjatë fushatës parazgjedhore, i cili tashmë është realizuar dhe po zbatohet në mënyrë sistemore.