Arsovska: Realizuam më shumë sesa premtuam për 3 muaj, nga shkurti fillojmë me projektet e mëdha 31.1.2022

Në konferencën e sotme për mediet për prezantimin e premtimeve të realizuara të cilat kryetarja Arsovska i premtoi në fushatën parazgjedhore, ajo tha se përpos premtimeve që ishin parashikuar për 82 ditët e para, u realizuan edhe aktivitete shtesë të cilat janë me rëndësi për Shkupin dhe shkupjanët. Kryetarja Arsovska potencoi se kjo ishte një periudhë në të cilën u vërtetua se në Shkup janë të mundshme ndryshimet, dhe nga shkurti fillojnë projektet infrastrukturore të mëdha dhe të rëndësishme për Shkupin.

Arsovska theksoi se pas dy vitesh përsëri është vënë në funksion teleferiku deri në majën e Vodnos. NTP-ja kreu të gjitha procedurat e domosdoshme për lëshimin në funksion të teleferikut nga aspekti teknik dhe i sigurisë. Në periudhën që kaloi u bë kontrolli i rregullt vjetor nga institucioni i autorizuar, monitorimi nga Inspektorati Shtetëror për teleferikë, si dhe kontrolli i rregullt teknik, me qëllim që teleferiku të jetë mjet transporti i sigurt për shkupjanët.

Në drejtim të lehtësimit të trafikut në qarkullim janë lëshuar edhe tri linja të reja autobusi deri në Vodnon e mesme 25, 25А dhe 25B. Nga momenti kur teleferiku filloi me punë vetëm për 1 muaj është shfrytëzuar nga më shumë se 25 mijë vizitorë dhe ky është një fakt që flet vetë për rëndësinë e aktivizimit të sërishëm të teleferikut, shtoi Arsovska.

Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet kryesore mbi të cilat bazohet puna e Qytetit të Shkupit. Për këtë qëllim për herë të parë nga funksionimi i Këshillit të Qytetit të Shkupit u mundësua transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave të Këshillit të Qytetit të Shkupit gjë me të cilën demonstrojmë transparencën në punën e Këshillit, theksoi kryetarja Arsovska.

Nëpërmjet seancave publike shkupjanët kanë mundësi të informohen drejtpërsëdrejti për vendimet e mara nga Këshilli, si dhe për projektet dhe programet e Qytetit të Shkupit. Seancat e Këshillit ndiqen rregullisht nga mbi 20 mijë qytetarë, që është dëshmi e shkallës së lartë të interesimit nga qytetarët dhe konfirmim i rëndësisë së transparencës së vendimeve të anëtarëve të Këshillit.

Arsovska theksoi se në 82 ditët e para u nënshkrua Marrëveshja Kolektive e re në nivelin e punëdhënësit me Organizatën sindikaliste të Qytetit të Shkupit.

Ky nuk është vetëm një hap drejt përmirësimit të të drejtave për të gjithë të punësuarit në Qytetin e Shkupit, por me të tejkalohen edhe dispozitat kontestuese të cilat periudhën e kaluar ishin lëndë e kontestimeve gjyqësore. Marrëveshja Kolektive për herë të parë përfshiu edhe kërkesat e të punësuarve në Brigadën Zjarrfikëse të cilat deri më tani ishin të rregulluara me Rregullore, gjë me të cilën u mundësua vlerësimi i drejtë i punës së tyre. Me nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive për të punësuarit në administratën e Qytetit përfundimisht avancohen të drejtat për të cilat ata u angazhuan për vite me radhë, përderisa vite më parë nuk kishte asnjë mirëkuptim nga ana e administratës së qytetit, thotë Arsovska.

Përveç realizimit të të gjitha projekteve të premtuara në 82 ditët e para dhe projekteve shtesë që janë realizuar në bashkëpunim me qytetarët dhe nevojat e tyre, në 82 ditët e para realizuam më shumë se 40 takime zyrtare me diplomatë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe organizata ndërqeveritare ndërkombëtare.

Për të avancuar bashkëpunimin e ndërsjelltë intensifikuam mundësitë për bashkëpunim bilateral në disa fusha veprimi në përputhje me planin e Qytetit të Shkupit për zbatimin e praktikave të mira evropiane, veçanërisht nëpërmjet avancimit të bashkëpunimit në sferën e transformimit të gjelbër dhe mbrojtjes së mjedisit. Kontaktet me vendet europiane mund të kontribuojnë në krijimin e ideve për zhvillimin dhe modernizimin e Shkupit, përfundoi Arsovska.