Arsovska: Me rikonstruksionin e rrugës “Butelska” rritet siguria në komunikacion për më shumë se 25 mijë qytetarë 6.9.2022

Kryetarja Danela Arsovska dhe kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, sot shënuan fillimin e punimeve ndërtimore për rikonstruksionin e një pjese të rrugës “Butelska”.

- Rruga “Butelska” është rruga me fluks më të madh në komunën e Butelit, dhe është në gjendje shumë të keqe. Rikonstruksioni i saj është i një rëndësie të madhe për më shumë se 25 mijë qytetarë që qarkullojnë përgjatë saj, si dhe për lidhjen e vendbanimeve. Me këtë projekt rikonstruktohet rruga “Butelska” në segmentin nga kryqëzimi me rrugën “Aleksandar Urdarevski” deri te mbikalimi në rrugën shtetërore A2, para lagjes Radishan. Gjatë punimeve ndërtimore në rrugën “Butelska” do të shtrohet shtresë e re asfalti në një sipërfaqe prej 7.687 metrash katrorë. Rikonstruksioni i rrugës “Butelska” para së gjithash do të rrisë sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, por do të mundësojë edhe qarkullimin më të mirë të automjeteve - tha Arsovska.

- Për rikonstruksionin e rrugës “Butelska”, Qyteti i Shkupit do të investojë rreth 14,5 milionë denarë me TVSH, dhe për realizimin e këtij projekti nëpërmjet ankandit publik elektronik u arrit ulje çmimi dhe kursim mbi 40% të vlerës së parashikuar të projektit.

Është e rëndësishme të theksohet se më pak se një muaj pas fillimit të punimeve në rrugën “Skoevska” në lagjen Radishan, e cila nuk është rikonstruktuar për më shumë se katër dekada, projekti për rikonstruksionin e kësaj pjese të rrugës “Butelska” është investimi i dytë më i madh i këtij lloji në komunën e Butelit për jo më shumë se një muaj, përderisa në komunë Qyteti vazhdon me krijimin e hapësirave të reja të gjelbra.  

Në territorin e kësaj komune, Qyteti i Shkupit po përgatit edhe investime të tjera, të reja, dhe dua të njoftoj se në periudhën e ardhshme do të fillojmë edhe procedurat për rikonstruksionin e rrugës “Radishanska” - theksoi kryetarja Arsovska.

Kryetari i Komunës së Butelit, nga ana tjetër, theksoi bashkëpunimin e mirë me Qytetin e Shkupit në realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët.

- Me rikonstruksionin e kësaj pjese të rrugës “Butelska”, zgjidhim një kërkesë të qytetarëve të kësaj pjese të komunës dhe lehtësojmë funksionimin dhe lëvizjen e banorëve, por edhe të të gjithë atyre që drejtohen nga mbikalimi në rrugën shtetërore A2, para lagjes Radishan. Siguria e qytetarëve është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, prandaj vazhdojmë të punojmë në projekte të reja në këtë drejtim - tha Kostovski.