ARSOVSKA: Qyteti i Shkupit është njësia e parë e vetëqeverisjes lokale me projekt për riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve ndërtimore 14.6.2022

Menaxhimi i mbetjeve dhe zhvillimi i ekonomisë lokale është tema e punëtorisë dyditore TAIEX që mbahet në Shkup me mbështetjen e Delegacionit Evropian. Në hapjen e punëtorisë folën kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, shefi për bashkëpunim i delegacionit të BE-së Stefen Hudolin, zëvendësministri i vetëqeverisjes lokale Zoran Dimitrovski dhe përfaqësuesi i instrumentit TAIEX për mbështetjen e vetëqeverisjes lokale, Nikolas Domingez Mendoza.

Arsovska në fjalimin e saj hyrës theksoi se Qyteti i Shkupit së fundi nënshkroi marrëveshjen për zbatimin e projektit evropian Re-Construct të financuar nga BE-ja, për krijimin dhe menaxhimin e ekosistemit për zbatimin e modelit qarkor për menaxhimin e mbetjeve ndërtimore.

 

 

- Me ndihmën e këtij projekti, për herë të parë në nivel kombëtar në një njësi të vetëqeverisjes vendore, fillon trajtimi i mbetjeve ndërtimore, duke gjetur mënyra për konvertimin inovativ dhe ripërdorimin e tyre. Qëllimi kryesor i këtij projekti është ngritja dhe përmirësimi i kapaciteteve të Qytetit të Shkupit për riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve ndërtimore dhe kalimin në ekonomi qarkore - tha Arsovska.

Arsovska theksoi se misioni TAIEX në këto tema aktuale është i rëndësishëm dhe kontribuon në zhvillimin e kapaciteteve, duke shfrytëzuar njohuritë dhe praktikat e vendosura të vendeve evropiane në drejtim të përmirësimit të menaxhimit lokal dhe përmirësimit të sistemit të menaxhimit të mbetjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare.

 

Shefi i bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Stefen Hudolin, theksoi rëndësinë e Marrëveshjes së Gjelbër dhe se ajo nuk ka të bëjë vetëm me mjedisin, por se ajo duhet të zbatohet në çdo fushë, dhe se vetëqeverisja lokale në Maqedoni duhet të realizojë me përkushtim aktivitetet e përfshira në Marrëveshjen e Gjelbër, duke ndjekur shembullin e praktikave evropiane.

Në punëtori, një numër i madh ekspertësh ndërkombëtarë në këtë fushë diskutuan, shkëmbyen përvoja, dhanë këshilla dhe udhëzime, si dhe ndanë shembuj praktikë nga disa fusha të Planit të Veprimit të Ekonomisë Qarkore për të mbështetur zhvillimin e sistemeve qarkore të menaxhimit të mbetjeve në komuna të ndryshme në Maqedoni. Në punëtori morën pjesë edhe përfaqësues të ndërmarrjeve publike të Qytetit.