Arsovska u ndau mirënjohje dhe çmime mësuesve në suazat e projektit për integrim ndëretnik në arsimin e mesëm 24.6.2022

Gjashtëdhjetë e dy mësues nga tetë shkolla të mesme të Qytetit morën mirënjohje dhe çmime nga Qyteti i Shkupit për kontributin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në avancimin e integrimit ndëretnik në arsim nëpërmjet realizimit të rregullt të orëve të përbashkëta me nxënës që mësojnë në gjuhë të ndryshme. Mirënjohjet dhe çmimet punonjësve të arsimit ua ndau kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.

Në shkollat ​​e mesme të qytetit të Shkupit: "Arseni Jovkov", "Zdravko Cvetkovski", "Vëllezërit Miladinov", "Boro Petrushevski", "Dimitar Vlahov", "Josip Broz Tito", "Vlado Tasevski" dhe "Dr. Pançe Karagjozov” gjatë vitit shkollor 2021/22 u realizuan gjithsej 1308 orë mësimi të përbashkëta ku u përfshinë 54 paralele të cilat ndoqën mësimin në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke. Mbajtja e orëve të përbashkëta kontribuon në përmirësimin e kohezionit ndëretnik mes të rinjve, nëpërmjet njohjes më të mirë me njëri tjetrin dhe ndërtimit të vlerave qytetare dhe demokratike. Kjo është ajo që synojmë ne si shoqëri dhe për të cilën duhet të punojmë për të siguruar një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë - tha kryetarja Arsovska në ceremoninë e sotme të ndarjes së mirënjohjeve dhe çmimeve.

Në suazat e Programit të aktiviteteve të Qytetit të Shkupit në fushën e arsimit të mesëm për vitin 2022 dhe Strategjisë për integrim ndëretnik në arsim dhe përfshirje qytetare është parashikuar mbështetja e shkollave për realizimin e aktiviteteve për integrim ndëretnik.

Ky projekt është pjesë e projektit kombëtar të USAID-it për avancimin e integrimit ndëretnik të të rinjve në arsim, i mbështetur nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar dhe Misioni i OSBE-së në Shkup.

Qyteti i Shkupit, në kuadër të përpjekjeve të tij për avancimin e integrimit ndëretnik në arsim, organizon edhe trajnime tremujore falas për mësimin e gjuhës maqedonase, shqipe dhe turke, të dedikuara për nxënës dhe mësues të shkollave të​​ mesme të Qytetit. Në ciklin e tretë të trajnimeve, i cili u realizua në gjysmën e dytë të vitit shkollor 2021/22, u përfshinë gjithsej 594 mësues dhe nxënës, disa prej tyre ndoqën trajnimet fillestare ndërsa një pjesë tjetër plotësuese.

Kurset u mbajtën nga 14 mësues të punësuar në shkollat ​​e mesme dhe të njëjtët u mbështetën nga ana logjistike dhe financiarisht nga Qyteti i Shkupit. Me ndjekjen e trajnimeve, të rinjtë kanë mundësi të fitojnë njohuri bazë të gjuhës që flasin shokët e klasës, gjë që do të kontribuojë në socializimin më të lehtë gjuhësor të tyre. Projekti synon stimulimin e komuniteteve shkollore për të ndërtuar dhe zhvilluar ndërveprime pozitive ndërmjet nxënësve dhe mësuesve nga bashkësi të ndryshme etnike.