FILLOI FAZA E DYTË E RREGULLIMIT TË KOPSHTIT TË RI BOTANIK NË SHKUP 25.8.2023

Kryetarja Danela Arsovska sot inspektoi rregullimin e Kopshtit të ri Botanik, ku po punojnë intensivisht ekipet e NP "Rrugë dhe Rrugica" dhe NP "Parqe dhe Gjelbërim". Kopshti i ri Botanik është rregulluar në suazat e Kopshtit Zoologjik dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 12.600 metra katrorë, ku do të mbillen më shumë se 4.600 pemë unike dhe fidanë, do të vendosen pajisje të reja urbane, belvederë dhe shumë përmbajtje të tjera për vizitorët.  

- Kopshti Botanik do të jetë një kënd i ri, i gjelbër për pushim dhe rekreacion për vizitorët, por edhe për ekspozimin e bimëve të rralla apo të pazakonta, orë edukative nga botanistë, specialistë të hortikulturës, si dhe evente për gjeneratat më të reja. Kjo hapësirë më parë e zbrazët dhe e paorganizuar do të jetë një lidhje e natyrshme ndërmjet Kopshtit Zoologjik dhe Parkut të qytetit, dhe rregullimi i saj do të pasurojë ofertën tonë në suazat e kandidaturës “Shkupi - Kryeqyteti i Kulturës Evropiane 2028” - theksoi sot kryetarja Arsovska.

 

 

Rregullimi i Kopshtit Botanik do të zhvillohet në faza, ekipet e NP "Rrugë dhe Rrugica" punojnë në ndërtimin e korsive të këmbësorëve, ndërsa ekipet e NP "Parqe dhe Gjelbërim" vendosin rrjetin hidrant dhe sistemin e vaditjes para gjelbërimit të plotë të hapësirës.

Në Kopshtin Botanik do të mbillen lloje autoktone të bimëve që janë të përhapura në Maqedoni, por do të ketë edhe lloje jo autoktone – bimë të sjella nga vende të tjera. Do të mbillen edhe bimë endemike që janë specifike vetëm për Maqedoninë.

Rregullimi i Kopshtit Botanik është pjesë e një vargu projektesh nga programi "Për Shkupin Modern" për ngritjen e sipërfaqeve të reja të gjelbra në qytet, të cilat po realizohen me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit, sepse Shkupi dhe qytetarët meritojnë përmbajtje moderne dhe ekologjike që do të kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit.