NJOFTIM PUBLIK 20.11.2023

Në Samitin global treditor të kryetarëve të komunave në Shkup nikoqir i të cilit ishte kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, fjalë përshëndetëse mbajtën presidenti Stevo Pendarovski, sekretari i përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Metju Mori, dhe kryetari i Parlamentit Global, kryetari i qytetit të Bragës, Rikardo Rio.

Arsovska theksoi se është nder i veçantë që Qyteti i Shkupit është nikoqir i më shumë se 200 mysafirëve dhe mbi 100 kryetarë komunash dhe nënkryetarë në suazat e Samitit të sivjetshëm të Parlamentit Global të Kryetarëve të Komunave, dhe përfshirja aktive e kryetarëve të komunave në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për bashkëqytetarët tanë është për t’u respektuar.

Në suazat e Samitit ndërkombëtar u organizuan panel diskutime dhe takime dypalëshe ku kryetarët e komunave dhe organizatat ndërkombëtare patën mundësinë të mësojnë nga njëri-tjetri, të shkëmbejnë mendime, përvoja dhe praktika të mira.

Në suazat e Samitit, krahas paneleve, u organizuan edhe evente shoqëruese në të cilat theksi u vu te fuqia e kulturës dhe artit, planifikimi urban gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm dhe gratë e fuqishme në menaxhimin e qyteteve.

Kultura luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e të gjitha qyteteve dhe në samit fokusi ishte në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe diskutimet, duke pasur parasysh faktin se Shkupi u shpall Kryeqytet i Kulturës Europiane për vitin 2028.

Në Samit, një numër i madh kryetarë komunash nga SHBA-ja, Afrika, Lindja e Largët, Europa, nënkryetarë komunash, ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, patën mundësinë të diskutojnë për fuqinë e qyteteve të angazhuara dhe humane, për atë se si nëpërmjet sigurimit të demokracisë të arrihet  zhvillimi për brezat e ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, nëpërmjet mbajtjes së një numri të madh punëtorish dhe takimesh dypalëshe, samiti ishte gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin e praktikave të mira dhe përvojave pozitive, nga të cilat lindin zgjidhje dhe masa konkrete, të orientuara drejt aksioneve të përbashkëta për përballimin me sukses të sfidave urbane.

Parlamenti Global i Kryetarëve të Komunave nëpërmjet përfshirjes së tij në Kombet e Bashkuara, Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës dhe institucionet e shumta ndërqeveritare, promovon dhe zbaton propozimet e kryetarëve të komunave, nxjerr përvoja nga aktivitetet e suksesshme të realizuara nga ana e tyre në mbarë botën dhe ndërton politika duke pasur parasysh faktin se  qytetet me kontributin e tyre mbi 85% të PBV, luajnë një rol kyç në nivel global, dhe është krenari për Maqedoninë që Shkupi është mikpritës i tyre këtë vit.