Qyteti i Shkupit po rikonstrukton 26 rrugë në Gjorçe Petrov 5.10.2022

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe drejtori i NP “Rrugë dhe Rrugica”, Said Said, inspektuan fazën përfundimtare të ndërtimit të 26 rrugëve në komunën Gjorçe Petrov me sipërfaqe të përgjithshme 16.000 metra katrorë.

- Bëhet fjalë për rrugë që deri më tani nuk janë asfaltuar, përkatësisht po asfaltohen për herë të parë me kërkesë të qytetarëve për të pasur rrugë dhe kushte që meritojnë. Në fazën përfundimtare po ndërtohen rrugët në Stopanski Dvor, gjë me të cilën përfundon projekti i ndërtimit në pesë vendbanime të kësaj komune, përkatësisht në Volkovë, Kisela Jabuka, Dame Gruev, Novo Selo dhe Stopanski Dvor, ku është ndërtuar infrastruktura rrugore në gjatësi pesë kilometra. Po punojmë që të sigurojmë kushte adekuate për të gjithë, është përcaktim programor që në Shkup të mos lejojmë pa zhvillim adekuat vendbanime të cilat deri më tani kanë qenë të harruara, dhe atë imazh po e përmirësojmë me ofensivën ndërtimore, për zhvillim të balancuar në zonat urbane dhe rurale të Shkupit, thotë Arsovska. 

Drejtori i NP “Rrugë dhe Rrugica”, Said Said, gjatë inspektimit theksoi se prej ditës së djeshme ka nisur puna për përgatitjen e asfaltimit të rrugëve, të cilat janë pjesë e fazës finale të projektit, me gërmimin e asfaltit, vendosjen e një shtrese tamponi dhe shtrimin e shtresës së re të asfaltit, gjë me të cilën do të përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve që jetojnë këtu, dhe në të njëjtën kohë do të ndikojë në përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor.