Sukses i madh për nxënësit e shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit në garën kombëtare për Microsoft Office Specialist dhe Adobe Certified Professional 22.6.2022

Nxënësit e shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit arritën sukses të madh në finalen e garës së gjashtë kombëtare për Microsoft Office Specialist dhe Adobe Certified Professional, që u mbajt sot në IBank, filial konceptual i Stopanska Banka SHA - Shkup. Ata fituan një vend të parë, dy vende të dyta dhe një vend të tretë. Vendin e parë e fitoi Damjan Dimovski nga SHMQSH "Josip Broz Tito", vendet e dyta janë për Luka Zotoviqin nga SHMQSH "Josip Broz Tito" dhe Ardita Eminin nga SHMQSH "Zef Lush Marku", dhe vendi e tretë i takoi Ivan Jordanovit nga SHMQSH "Vasil Antevski Dren". Në finalen e kësaj gare prestigjioze sot mori pjesë edhe sekretari i Qytetit të Shkupit, Gjoko Velkovski.   

-Qyteti i Shkupit edhe këtë vit është partner në organizimin dhe realizimin e kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme në fushën e avancimit të aftësive digjitale. Qyteti i Shkupit mbështet shpirtin e garës të të rinjve, mësimin e përkushtuar dhe garat jashtë kornizave të obligimeve të përditshme shkollore. Personalisht, besoj se duke investuar në përmirësimin e shkrim-leximit digjital, veçanërisht nëpërmjet procesit formal arsimor, do të kontribuojmë në përmirësimin e mundësive të punësimit të të rinjve të arsimuar dhe në përmirësimin e produktivitetit në vendin e punës. Kjo, nga ana tjetër, do të rrisë produktivitetin ekonomik të shoqërisë. Në kuadër të partneritetit gjashtëvjeçar me Certiadria në organizimin e kësaj gare, Qyteti i Shkupit  mbështeti 2600 nxënës të shkollave të mesme, duke u mundësuar atyre dhënien e provimit zyrtar të Microsoft Office dhe ASA falas. Në këtë mënyrë, nxënësit, pavarësisht nga statusi i tyre social dhe ekonomik, patën mundësinë të marrin certifikatën e njohur ndërkombëtarisht, e cila do të jetë e një rëndësie të veçantë për ta në arsimimin dhe karrierën e tyre të mëtejshme - tha Velkovski në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për më të mirët.

Gara u bazua në testimin e studentëve të moshës nga 13 deri në 22 vjeç nga e gjithë Maqedonia, të cilët i matën njohuritë e tyre në aplikacionet Microsoft Office - Word, Excel dhe PowerPoint, përkatësisht Adobe Photoshop, Illustrator dhe InDesign.

Është e rëndësishme të theksohet se garuesi më i mirë do të ketë mundësi të përfaqësojë vendin tonë në garën botërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të mbahet në korrik të këtij viti.