U miratua projekti për sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm në Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq dhe Laskarcë 31.8.2022

Me propozim të kryetares Danela Arsovska, Këshilli i Qytetit të Shkupit sot miratoi Vendimin për vendosjen e bashkëpunimit ndërkomunal ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Sarajit për pjesëmarrje financiare në përgatitjen e dokumentacionit urbanistik planifikues për përmirësimin e furnizimit me ujë në fshatrat Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq dhe Laskarcë të komunës së Sarajit. Zgjidhja e problemit shumëvjeçar me furnizimin me ujë në vendbanimet Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq dhe Laskarcë është një ndër projektet prioritare të njoftuara nga kryetarja Arsovska në konferencën për mediet të mbajtur një javë më parë, të cilave Qyteti i Shkupit do t'u përkushtohet në periudhën e ardhshme.

- Gjendja aktuale e ujësjellësit në fshatrat Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq dhe Laskarcë nuk i plotëson nevojat elementare të banorëve të këtyre vendbanimeve për furnizim me ujë të pijshëm. Ky është një problem imediat me të cilin ballafaqohen çdo ditë banorët vendas dhe për këtë së bashku me Komunën e Sarajit do të veprojmë për zgjidhjen së këtij problemi shumëvjeçar. Me qëllim tejkalimin e gjendjes aktuale dhe sigurimin e kushteve më të mira për jetesë, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Sarajit do të përgatisin dokumentacionin urbanistik planifikues për përmirësimin e furnizimit me ujë, sipas të cilit planifikohet të fillohet me ndërtimin e një sistemi të ri ujësjellësi - sqaroi kryetarja Arsovska.